Sezar Azpilikueta plas bombën te Çelsi: skuadër e përçarë dhe e varfëruar ndjeshëm këtë verë. Humbja tronditëse kundër Bërnlit në debutim ka bërë që mbrojtësi spanjoll të shpërthejë, duke qortuar ashpër klubin për pasivitetin në merkato, aq më shumë që këtë sezon synimi është titulli, por edhe Liga e Kampioneve. Geri Kahill i ndëshkua me karton të kuq të shtunën, Eden Hazard është i dëmtuar dhe Diego Kosta është në Brazil, në luftë me klubin, ndaj është e qartë që skuadra është dobësuar.
Kjo ka bërë që Azpilikueta të shpërthejë: “Kur sheh lojtarët që humbëm në merkato dhe ata që kemi blerë, nuk janë e njëjta gjë. Ne kemi lojtarë të rinj të talentuar, por duhet ta pranojmë realitetin, të jesh kampion në fuqi është shumë e vështirë në sezonin e ri. Kemi eksperiencë me situata të tilla, ndaj na duhen lojtarë, edhe për zhvillimin e të rinjve. Ata kanë nevojë për ndihmë nga lojtarë të nivelit të lartë, pa i ngutur, pasi nuk janë gati për momentin. Shpresojmë që klubi dhe trajneri të bëjnë disa blerje këtë muaj”.