Një ndër afrimet e shumta të Partizanit gjatë merkatos së janarit ishte mesfushor nga Gambia, Tixhan Xhaiteh. 30-vjeçari vinte me një “CV” të pasur me eksperienca të ndryshme në Norvegji, Finlandë, Izrael dhe Katar. Megjithatë, eksperienca e parë e futbollistit në Shqipëri rezultoi një zhgënjim total.
Gjendja jo e mirë fizike (nuk luante prej 8 muajsh), bëri që Xhaiteh të aktivizohej në vetëm tre ndeshje nga trajneri i atëhershëm Skënder Gega. Në dy muaj e fundit nga “demat” janë larguar lojtarë të shumtë, por Xhaiteh mbetet ende aty.
Klubi e ka bërë të qartë që 30-vjeçari nuk bën pjesë në planet e së ardhmes. Xhaiteh nuk është përfshirë në listën e të grumbulluarve për kualifikueset Europiane, ndërsa stërvitjet i zhvillon veçmas grupit së bashku me futbollistët e tjerë të padëshiruar.
Në një situatë të ngjashme palët do kishin arritur një marrëveshje për të ndërprerë bashkëpunimin me kohë, por situata nuk është aq e thjeshtë. Pavarësisht minutave të pakta, Xhaiteh është një ndër lojtarët më të paguar te Partizani dhe kontrata i mbaron në fund të sezonit të ardhshëm.
Siç duket mesfushori nuk e ka me nxitim dhe është i gatshëm të qëndrojë te “demat” edhe në rast mosaktivizimi, mjafton që në fund të muajit paga t’i kalojë në llogarinë bankare.