Askush si Çelsi i Sarrit, Murinjo “asist” për rekordin

Kalimi i Mauricio Sarrit tek ekipi i Çelsit po sjell rezultate dhe një futboll të bukur. Lojtarët janë çliruar, tifozët po zbaviten, ndërsa “Blutë e Londrës” po ecin shumë mirë në kampionat dhe Europa League.

Vendi i dytë në kampionat bashkë me Liverpulin dhe dy pikë më pak se kryesuesit e Sitit. Tetë fitore, tre barazime dhe asnjë humbje në Premier, katër ndeshje, të gjitha fitore në Europa League, ndërsa në Kupën e Anglisë, dy fitore në dy ndeshje të luajtura. Totali? Çelsi i Sarrit ka zhvilluar 17 ndeshje zyrtare këtë sezon, duke numëruar 14 fitore, 3 barazime dhe… zero humbje.

E fundit ishte ajo kundër Bate Borisov në transfertë me golin e Oliver Zhiru. Çelsi është sot i vetmi klub në pesë kampionatet kryesore të Europës, që nuk ka pësuar akoma një humbje në të gjitha kompeticionet (kampionat, kupë dhe Europë).

Një ndihmë të madhe i ka dhënë dhe Murinjo, me ekipin e Junajtid që mposhti Juventusin në Torino, me një rikthim të pabesueshëm të rezultatit në minutat e fundit. Bardhezinjtë dhe “Blutë e Londrës” ishin të vetmet ekipe, që nuk e kishin provuar shijen e humbjes deri më tani, ndërsa Juvja e provoi kundër Junajtid.

Një rekord i bukur për ekipin londinez dhe trajnerin italian, të cilët janë në formë dhe të motivuar për të zgjatur sa më shumë të jetë e mundur pathyeshmërinë e tyre.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *