Matijs De Ligt ishte telenovela e kësaj vere në merkato. 19-vjeçari shkëlqeu me Ajaksin dhe gjysma e Europës iu vu pas. Në fund pati një garë të fortë midis Barcelonës dhe Juventusit.
Bardhezinjtë i plotësuan çdo dëshirë, por ndikoi edhe tërheqja e klubit katalanas. “Zonja e vjetër” pagoi 75 milionë euro te kampionët e Holandës, ndërsa mbrojtësi i talentuar firmosi një kontratë 5-vjeçare me një rrogë prej 12 milionë eurosh me gjithë bonuse.
El Mundo Deportivo shpjegon edhe shkakun e tërheqjes së Barçës nga gara. Kërkesat e De Ligt për rrogën i befasuan kampionët e Spanjës. Ylli holandez kërkonte shumë, madje edhe më tepër se Pike dhe kolegët e tjerë të mbrojtjes, por jo vetëm.
Barcelona nuk pranoi dhe De Ligt fluturoi drejt Torinos. Ai është lojtari më i paguar te Juventusi pas Kristiano Ronaldos, i cili përfiton 31 milionë euro në sezon.