Pritej spektakël në Old Trafford, ku për herë të parë pas shumë vitesh Junajtid e Arsenali përballeshin pa pasur në stol të paktën njërin prej Aleks Ferguson e Arsen Venger.
Përfundoi 2-2, me futboll të kënaqshëm, gola dhe gafa, sidomos nga skuadra e Zhoze Murinjos, që fali dy gola, ndërsa Arsenali merr një pikë me vlerë, në një fushë ku prej dekadash vuan tmerrësisht.
Sfida nisi me një Mançester mjaft këmbëngulës, por ata që shënuan të parët ishin “Topçinjtë”. Nga zhvillimet e një goditje nga këndi, Shkodran Mustafi, u lirua nga markimi dhe shënoi me kokë, edhe falë një gabimi fatal nga De Gea. Një gol që u akordua nga teknologjia e portës, pasi topi e kaloi vetëm pak centimetra vijën fatale.
Gëzimi i Arsenalit zgjati shumë pak, për të mos thënë aspak. Vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 30-të ishte Antoni Marsial, i cili përfitoi nga një pasim i Ander Herrerës, për të baraspeshuar shifrat. Ekipet shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-1.
Në pjesën e dytë, gati-gati ndodhi e njëjta gjë. Ishte Arsenali, i cili shënoi me anë të Lakazet në minutën e 68-të, vetëm tre minuta pasi ishte futur në lojë, me Arsenalin që përfitoi nga një gabim i mbrojtjes vendase. Festa e “Topçinjve” zgjati vetëm pak sekonda këtë herë, pasi Lingard baraspeshoi çdo gjë brenda një minute.
Asnjë gol deri në fund, me Arsenalin që vijon ecurinë impresionuese, sepse nuk humbet prej 20 ndeshjesh në gjithë kompeticionet dhe kap Çelsin në renditje, ndërsa Junajtid mbetet shumë pas dhe Murinjo do të nisë të ankohet për gjëra të tjera, sepse të paktën impenjimi dhe lufta sportive nuk i munguan skuadrës së tij.
Nga barazimi në Old Trafford përfiton Tottenham-i, që fitoi me lehtësi 3-1 ndaj Sauthemptonit dhe tashmë është i treti. Kejn shënoi që në fillim dhe dha edhe një asist në pjesën e dytë, kur shënuan Lukas e Son, me sfidën që mori fund pa u mbushur në orë lojë. Debutim i hidhur për austriakun Hassenhuttl në stolin e Sauthemptonit, por nuk ishte ndeshja e duhur për kthesë.