Arsenali mori pasditen e djeshme një triumf mjaft të rëndësishëm, teksa mundi me shifrat e pastra 2-0 Çelsin, duke e hapur plotësisht garën për zonën Champions. Golat u shënuan nga Lakazet e Kosielni, por gëzimi i fitores u shua disi, pas dëmtimit të rëndë të Hektor Belerin.
Mbrojtësi mori një dëmtim të rëndë në minutën e 72-të, ku dhe la fushën me barrelë. Ditën e sotme janë kryer analizat dhe përgjigja ishte ajo çfarë Arsenali kishte frikë. Belerin ka humbur sezonin dhe Unai Emeri duhet të bëjë pa shërbimet e anësorit të djathtë.Kështu, mallkimi i dëmtimeve vijon për “topçinjtë” e Londrës, ku mjafton të kujtojmë që, 23-vjeçari është lojtari i tretë që humbet sezonin, pas Rob Holding dhe Dani Uellbek. Gjithashtu, frikë ka dhe për Henrik Mkitarjan, i cili po ashtu rrezikon të mos të kthehet më për këtë sezon, teksa analizat e fundit kanë trembur jo pak.