Premier Liga është kampionati më i bukur në botë, thonë. Arsyeja? Mjafton të shohësh ndeshjen hapëse të kampionatit anglez, që nisi sot në mbrëmje, një risi, pasi kurrë nuk kishte ndodhur që kampionati të startonte një të premte.
I takoi Arsenalit të kishte nderin të priste ndeshjen e parë të kampionatit, kundër Lester Sitit, kampioni i dy sezoneve më parë. Në letër “Topçinjtë” favoritë të mëdhenj, por në Angli nuk ka “në letër”.
Fitoi Arsenali, 4-3, në një ndeshje të çmendur, me gola, lojë të bukur, shumë gabime dhe shumë fat për skuadrën e drejtuar nga Arsen Venger. Të dyja skuadrat meritojnë duartrokitje, por njëkohësisht të dyja palët duhet të punojnë shumë në fazën mbrojtëse, sidomos në goditjet e dënimit apo goditjet nga këndi.
Aleksandre Lakazet, blerja e madhe verore, shënoi që në minutën e dytë për Arsenalin dhe u duk një mbrëmje festive, me 3 pikë pa lodhje. Gabim, sepse 3 minuta më pas Okazaki barazoi për miqtë dhe Olbrajton në minutën e 29-të dha një asist perfekt për Vardin, i cili nuk fali. Në shtesën e pjesës së parë Deni Uellbek gjeti barazimin, pasi një pasimi altruist nga Kolashinac, por Vardi ktheu “Dhelprat” në avantazh në minutën e 55-të, pasi një krosi nga këndi të Mahrezit.
Ndeshja ndryshoi fytyrë kur u futën Ramsej e Zhiru në minutën e 67-të, sepse të dy shënuan në harkun e dy minutave, në 83 e 85, me dy asiste nga Granit Xhaka, i pari me një prekje të bukur nga jashtë zone dhe i dyti kros nga goditja e këndit.
Start me fitore, por Arsenali i zakonshëm, që të bën të vuash deri në fund, nëse je tifoz “Topçi”.