Merkato nuk ka ardhur akoma por te Arsenali nuk duan t’i lënë fatit asgjë në dorë. Klubi nga Londra kërkon rikthimin në katër më të mirat, objektiv ky shumë i vështirë për t’u realizuar me lojtarët aktual. Reparti ku topçinjtë kanë shumë probleme, është ai i mbrojtjes.
Qendërmbrojtësi anglez Rob Holding ka mbyllur sezonin për shkak dëmtimi dhe drejtuesit po kërkojnë të gjejnë zëvëndësuesin. Bëhet fjalë për Kehill, i cili aktualisht luan në anën tjetër të londrës, me Çelsin. Rreth largimit të Kehill, është pyetur trajneri i Çelsit Sarri,i cili shprehet : “Mua më nevojiten lojtarë të mirë taktikisht. Unë e respektoj shumë atë por kam në dispozicion lojtarë më të mirë”.
Transferimi i Kehill tek Arsenali mund të kryhet por për të parë se çfarë do ndodhë na duhet të presim deri në janar. Anglezi është pjesë e Çelsit që në vitin 2012.