Arrihet marrëveshja, Hazard shitet për 100 milionë €

Eden Hazard mund të largohet këtë verë nga Çelsi, edhe pse londinezët janë të dënuar për të mos bërë afrime dhe kjo do i penalizonte goxha. Sulmuesi belg është nën kontratë deri në verën e vitit 2020 dhe klubi që garon në Premier League mund ta humbasë me parametra zero.

Sipas asaj që raporton spanjollja Marca, është arritur marrëveshja dhe Hazard do të jetë pjesë e Realit të Madridit sezonin e ardhshëm. Belgu shikohet si pasardhësi ideal i Kristiano Ronaldos dhe vetë lojtari e ka shprehur hapur që do donte të ishte pjesë e madrilenëve. Zidan është idhulli i tij dhe dëshira është e madhe për të punuar me francezin.

Dy ditë më parë ishte Fabio Kapelo ai që deklaronte se kishte informacion të sigurt që Reali këtë verë do të shpenzojë shumë në merkato. Sipas trajnerit italian, plot 500 milionë euro është fondi i ndarë nga klubi për të bërë transferimet e duhura. Sa duket, Hazard do jetë goditja e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *