Renato Arapi i hap rrugë rikthimit në Shqipëri. Mbrojtësi në verë pranoi ofertën Afjetspor, ku nënshkroi edhe Danilo Alvesh. Braziliani, ndryshe nga durrsaku, u largua pa nisur Superiorja dhe u rikthye në Vlorë te Flamurtari. Disa muaj më pas mund ta bëjë edhe Arapi, i cili shpesh herë as që është grumbulluar me ekipin e tij në Turqi.
I penduar për zgjedhjen e bërë, mbrojtësi që luan në të majtë dhe në qendër nuk e mohon dëshirën për të lëvizur nga ekipi aktual. “Ka qenë sigurisht zgjedhja ime dhe e menaxherit e gabuar. Ekipi nuk ka qenë në nivelin e duhur. Nuk ishte zgjedhja ime 100%, por i besova menaxherit, sepse e nje më mirë ambientin në Turqi. Jam penduar, sepse në ekip ka pasur mungesë të theksuar organizimi. Nuk mund të them se e kam mbyllur me ekipin tim. Kam kontratë dhe jam i lidhur me atë klub. Por nuk e fsheh se dëshira ime është që të lëviz”, shprehet Arapi për “Supersport”.
“Rikthimi në Shqipëri? Gjithmonë e kam pasur dëshirë për t’u kthyer në Shqipëri. Në momentin që nuk do kisha mundësi me ato kushte që kërkoj, ardhja në Shqipëri është shumë e mundur”, ka shtuar mbrojtësi durrsak, që ka nisur të përflitet edhe si një opsion për Teutën. “Nuk e mohoj dëshirën, pasi jam nga qyteti i Durrësit. Nuk do të ishte keq”, shprehet Arapi, i cili në fund analizon edhe atë çka ndodh në Superiore.
“Na vjen mirë që ka konkurrencë, janë 3-4 ekipe që luftojnë për Kupat e Europës. Kjo ka ardhur edhe për shkak të dobësimit të Skënderbeu, që ka shitur lojtarët bazë. Kjo ka sjellë ndoshta një nivel më të ulët të Skënderbeu, por e ka bërë kampionatin më të bukur”.