Apolonia zyrtarizon Vrapin, tratativa me Voglin e Sharavollin

Skuadra e Apolonisë ka bërë fakt projektin e trajnerit Artan Mergjyshi, i cili dy ditë më parë deklaroi për Sportekspres.com se ka në plan tre futbollistë që kanë luajtur në Kategorinë e Parë sezonin e kaluar. Gelando Sharavolli, që luajti me Tomorin sezonin e kaluar, Jurgen Vrapi me Dinamon dhe Jurgen Vogli me Egnatian, këta janë tre “moskëtierët” e radhës. Vrapi është 100% fierak, ndërsa me Voglin e Sharravollin bisiedat nuk janë mbyllur.

Tekniku tiranas, të premten në mbrëmje konfirmoi për SportEkspres.com vetëm Jurgen Vrapin, ndërsa dy të tjerët ende janë në biseda me drejtuesit e klubit. “Unë konfirmoj 100% vetëm Jurgen Vrapin, ndërsa Vogli e Sharavolli ende nuk kanë mbyllur bisedat me klubin. Gjithsesi, ne po punojmë që jo vetëm këta futbollistë, por edhe të tjerë që kanë spikatur në Kategorinë e Parë dhe në Superiore, do jenë në fokusin e merkatos sonë”.

Mesfushori Jurgen Vrapi njihet për vlerat e tij nga Mergjyshi, pasi ishin së bashku në sezonin e kaluar te Dinamo. Në sezonin e kaluar ai u aktivizua 23 ndeshje me blutë dhe shënoi 4 gola. Veç Vrapit, nga skuadra dinamovite e cila është në vështirësi rifillimi, tekniku tiranas ka kërkuar edhe Marlind Nuriun e Rei Nuriun, por ende nuk janë bërë fakt bisedimet e zhvilluara mes tyre javën e kaluar.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *