Bayern i Mynihut pak nga pak po rindërton ekipin, sepse që tani ka zyrtarizuar blerjet e mbrojtësve Hernandez dhe Pavard, ndërsa në verë pritet të shpenzojë sërish shuma të frikshme.
Synim madhor i klubit legjendar është afrimi i gjithë talenteve gjermane në qarkullim dhe dy më të mëdhenjtë janë sulmuesit Kai Havertz i Leverkusen dhe Timo Werner i Leipzig.
Ky i fundit shihet si pasardhësi natyral i Robert Lewandowskit, ndërkohë që edhe shefi i Leipzig, Oliver Mintzlaff, ka konfirmuar largimin e sulmuesit, i cili ka kontratë deri në 2020: “Timo na ka informuar se nuk dëshiron të rinovojë, ndaj jemi të detyruar ta shesim këtë verë”.
23-vjeçari, 14 gola këtë sezon në Bundesligë dhe tashmë pikë kyçe në kombëtaren gjermane, e ka shprehur me kohë dëshirën e tij për të luajtur në Bavari, por nga ana tjetër paratë kanë shumë rëndësi dhe në verë do të nisë një ankand gjigant.
Sipas Bild, Jürgen Klopp e do sulmuesin te Liverpool, ndërkohë që edhe Paris Saint-Germain e Real Madrid janë shumë të interesuar, pasi kanë nevojë për përforcime urgjente për sezonin e ardhshëm.
Sipas revistës gjermane, ankandi nis nga 40 milionë euro, por është e qartë që në futbollin aktual një shifër e tillë është bërë qesharake, kur bëhet fjalë për lojtarë të këtij niveli.