Sezoni 2017/18, Reali kampion Europe, Franca kampione bote, Atletiko fitues i Europa League. Të gjitha gjëra që i kemi parë edhe në të shkuarën, të gjitha ngjarje që i kemi përjetuar duke i parë në televizor, me ëndrrën se një ditë do të jemi aty, në stadium.
Ndërkaq, ka edhe njerëz që kanë ëndrra të tjera, që për shumë njerëz duken absurde. Një anglez, Met Uoker, është një nga ata që nuk ëndërrojnë Bernabeun, San Siron apo Anfield. Ai ëndërron të shohë ndeshjet e vogla, në çdo cep të Europës dhe këtë ëndërr e ka bërë realitet këtë vit. Tani ka në plan të shkruajë libër me gjithçka ka përjetuar.
Një vit më parë Met i vendosi vetes një objektiv: të shihte të paktën një ndeshje në çdo shtet të Europës! Tani anglezi “i çmendur” ia ka dalë mbanë, për një vit ka parë 79 ndeshje në 55 shtete, nga Islanda deri në Gjeorgji, duke kaluar nga Shqipëria.
Uebsiti francez sofoot.com ka mësuar historinë e veçantë të anglezit të pandalshëm dhe e ka intervistuar, duke mësuar shumë kuriozitete, përfshirë një për Shqipërinë dhe nuk është një kujtim që na bën të lumtur.
“E nisa vitin e shkuar, duke filluar nga kampionatet skandinave, ndërsa e mbylla në Ballkan. Ndeshja më e shëmtuar? Ka pasur shumë, ndeshjet shpesh ishin të mërzitshme, nivel i ulët. Megjithatë, ndeshja më e mërzitshme në absolut ishte një Flamurtari-Teuta, më 25 nëntor 2017. Ishte ndeshja më e shëmtuar që kam parë në jetën time, e tmerrshme. Pashë një përmbledhje prej 2 minutash më vonë, televizioni që e transmetoi ndeshjen 1 minute e shpenzoi me skuadrat që po dilnin nga tuneli i dhomave të zhveshjes, sepse nuk kishte raste fare për shënim”.
Po ndeshjet më të bukura? “Janë 3. E para një Trabzonspor-Antaliaspor, ishte 3-0 dhe mbaroi 3-4. Ndeshja e dytë ishte një befasi. Isha në Gjilan, në Kosovë, Drita mundi 4-3 Lirinë në një ndeshje spektakolare, pas ndeshjes skuadra pritëse me ftoi në dhomat e zhveshjes. Në Serbi pashë një tjetër ndeshje fantastike, Napredak fitoi 1-0 në shtesë ndaj Crvena Zvezda”.