Karlo Ançeloti u rikthye në Serinë A mbas 9 sezonesh duke firmosur për klubin e Napolit. Djemtë e tij e nisën me fitore duke mposhtur Lacion në transfertë. Në një prononcim për francezen “L’Equipe”, 59-vjeçari tregon se pse zgjodhi Napolin dhe ndalet te ekipi, lojtarët dhe ku duhet punuar për përmirësimin e skuadrës.
“Napoli mendoi për mua dhe unë kisha dëshirë të rikthehesha në Itali. Pjesa financiare nuk ka qenë një problem apo temë diskutimi. Më tërhiqte Anglia, por kur erdhi oferta e Napolit, mendova që kishte ardhur momenti për t’u rikthyer. Nuk kam stërvitur asnjë nga lojtarët që janë këtu, jam kurioz t’i njoh më mirë dhe ata janë kuriozë për të parë se si unë i stërvis lojtarët. Faza defensive është shumë e fortë dhe nuk ka nevojë që t’iu shpjegoj ndonjë gjë.
Sa i përket sulmit, dua të bëj disa ndryshime dhe ndoshta duhet të luajmë pak më shumë vertikalisht”, përfundon Karlo Ançeloti, i cili të shtunën në mbrëmje debuton në “San Paolo” dhe çfarë përballje! Kundërshtari është Milani, një dashuri e vjetër e Ançelotit.