Napoli përjetoi një mbrëmje të madhe Champions-i, duke arritur një fitore emocionuese përballë Liverpulit të Klopit. Ndeshje perfekte e djemve të Ançelotit, ndërsa Lorenco Insinje ishte heroi i ndeshjes me golin e shënuar në minutën e fundit. Karlo Ançeloti është i lumtur me këtë fitore, që e ngjit Napolin në vendin e parë në kuotën e katër pikëve. Trajneri napolitan komenton ndeshjen e të tijve dhe analizon ndryshimet taktike që befasuan ekipin anglez.
FITORJA – “Ishte një mbrëmje me emocione të forta. Bëmë shumë mirë gjatë gjithë ndeshjes, nuk e humbëm kurrë kontrollin, ishim shumë të kujdesshëm dhe shumë të aftë në fazën mbrojtëse. Treguam ekuilibër dhe krijuam shumë raste për gol. Shënuam në momentin e duhur. Nëse do të shënonte Mertens në minutën e 81-të, do të vuanim më shumë, kështu që më mirë që shënuam në minutën e fundit.”
TAKTIKA – “Mbrojtëm me skemën 4-4-2. Ajo që ndryshuam ishte Maksimoviç për të shmangur presingun e sulmuesve të Liverpulit. Kjo na lejoi të menaxhonim fillimin e ndeshjes dhe pozicioni më i avancuar i Mario Ruit iu krijoi shumë probleme. Kjo ishte ndeshja që pres gjithmonë nga lojtarët e mi. Kjo skuadër ndonjëherë nuk e shpreh gjithë potencialin e saj, por kjo fitore do të na ndihmojë të jemi më të lirshëm psikologjikisht. Interpretimi i lojtarëve të mi ishte perfekt dhe kjo fitore na mban në garë për të kaluar grupin.”
I lumtur për fitoren është dhe presidentin Aurelio De Laurentis, i cili ka zgjedhur të komentojë në rrjetet sociale, ku ka shkruar: “Fitore e madhe kundër një skuadre të madhe. Ançeloti i denjë për famën e tij.”