Përballjet me PSG-në do të jenë shumë të veçanta për trajnerin e Bajernit, Karlo Ançeloti, i cili më parë ka punuar në Paris. Italiani ka kaluar 18 muaj me parisienët në vitin 2012 dhe 2013, duke fituar titullin kampion, ashtu siç ka bërë kudo ku ka drejtuar.
“Pa diskutim që ky është grup fantastik dhe emocionues, me skuadra madhështore si PSG-ja. Për mua është diçka e këndshme që do të ndeshem me ish-skuadrën time. PSG-ja është përmirësuar shumë me blerjen e Nejmarit. Dihet se Selltiku ka një mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët, kurse Anderlehti nuk mund të nënvlerësohet, si kampion i Belgjikës që është. I shoh si tri skuadra krejtësisht të ndryshme”, – ka qenë reagimi i 58-vjeçarit për shortin.