Te Napoli e kanë harruar eliminim e dhimbshëm nga Champions League. Më daljen për shtyp para transfertës ndaj Kaljarit, trajneri Karlo Ançeloti vlerësoi skuadrën për karakterin e treguar pas humbjes ndaj Liverpulit. Tekniku italian e bëri të qartë se te skuadra e tij është rikthyer atmosfera pozitive dhe se tani do të kërkojnë trofeun e “Europa League”.
“Skuadra reagoi mirë pas humbjes ndaj Liverpulit. Ishte zhgënjyese, por të gjithë jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me ambicien dhe projektin e klubit. E ardhmja e Napolit është e ndritur, skuadra është e re dhe do të vijnë edhe lojtarë të tjerë të rinj. Këtu po ndërtojmë një ekip për të ardhmen. Nuk mund të dal garant këtë vit, por së shpejti do të fitojmë diçka”.
“Një trajner gjykohet nga rezultatet, por pavarësisht eliminimit nga Champions, skuadra tregoi se është e aftë të luajë si e barabartë ndaj ekipeve më të forta në Europë dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme për mua. Tani jemi në Europa League, një kompeticion që është fituar nga dy klube të mëdha në dy vitet e fundit (Junajtid dhe Atletiko Madrid). Do të kërkojmë që të jemi protagonistë. Përballjet me skuadra si PSG-ja dhe Liverpuli na kanë dhënë një eksperiencë shumë të vlefshme për këtë kompeticion”, përfundoi trajneri i Napolit.