Igli Tare ka dhënë një intervistë për “La Repubblica”, ku analizon në detaje ekipin e tij. Drejtori sportiv i Lacios komenton lojtarë të ndryshëm, mbështetjen për trajnerin Inzagi dhe shembullin e tifozëve në Gjermani, të cilët i mbushin stadiumet, pavarësisht kategorisë dhe formës në të cilën ndodhet ekipi i tyre.
MILINKOVIÇ-SAVIÇ – “Për Milinkoviç bëhet fjalë kryesisht për gjendjen e tij fizike. U kthye vonë nga Botërori dhe i mungon baza e përgatitjes atletike, një gjë e thelbësore për një lojtar ‘të rëndë’ si ai. Mund të ketë influencuar dhe ‘do të largohem, ose do të qëndroj’ gjatë merkatos së verës. Në fund qëndroi dhe tashmë i duhet thjeshtë të rikthehet në formën e tij.”
LUIS ALBERTO – “Për mua është një çështje koke. Ai ka nevojë të ndihet i paprekshëm, por në një klub ambicioz si Lacio nuk është e mundur të gabosh disa ndeshje rresht dhe të mbetesh titullar. I duhet ta rifitojë vendin e tij në formacion, si burrat, dhe të rikthehet të bëjë diferencën. Ai është një lojtar për Real Madrid dhe e ka treguar kualitetin që zotëron. Tani i duhet të bëjë hapin e madh. Ka nevojë të përmirësojë gjendjen fizike dhe të rrisë vetëbesimin.”
RROTACIONI – “Modeli për t’u ndjekur është Juventus: kush luan, edhe pse ndeshjen paraardhëse mund të ketë qëndruar në pankinë, jep gjithçka. Gjithmonë. Prioriteti ynë mbetet kampionati, me objektiv kualifikimin në Champions. Do e kemi të vështirë, sepse Serie A këtë vit është e balancuar. Ka vetëm katër pikë diferencë midis vendit të 3-të dhe të 12-të. Ne na mungon një pikë, sepse kundër Napolit barazimi do të ishte rezultati më i drejtë.”
KORREA – “Korrea është një lojtar ëndrrash. Me pak më shumë fat mund të kishte shënuar 3-4 gola. Nevojitet durim dhe besim, por do të shpërthejë. Ai, Imobile, Luis Alberto dhe Kaisedo janë forca jonë në sulm dhe të katërt mund të formojnë një dyshe me njëri-tjetrin. Korrea nuk do të shënojë kurrë golat e Imobiles, por puna e tij është e rëndësishme për skuadrën.”
MBROJTJA – “Lojtarët më ekspertë në këtë repart po vuajnë: Uollas, Bastos dhe Kaseres. Gabimi i Kaseres në derbi ishte i pafalshëm, sepse kishte gjithë kohën e duhur për të larguar topin me këmbën e tij të preferuar. Por nuk jam dakord, kur thonë që mbrojtja është pika jonë më e dobët. Sezonin e kaluar ishim sulmi më i mirë në kampionat dhe kjo gjë sjell hapësira mbrapa.”
BADELJ – “Ai është një kapiten, një lider. Vuan kur është në pankinë, por ia kisha bërë të qartë, e dinte që nuk do ta kishte vendin e sigurtë në formacion dhe e pranoi këtë sfidë. Si Berisha, një tjetër që i pëlqen të karikojë skuadrën dhe ta marrë ekipin në shpatullat e tij. Të dy do të jenë të rëndësishëm në vijim. Më vjen keq për dëmtimin e Durmishit, ishte në formë dhe nuk duhej ky dëmtim.”
INZAGI – “Simone është gjithmonë e më shumë një trajner i pjekur. E di që mund të mbështetet te stafi i tij, skuadra dhe klubi në momente të vështira. Kam dëgjuar fjalë për shkarkimin e tij dhe të raporteve minimale me skuadrën, por janë të gjitha shpifje.”
TIFOZËT – “E vlerësova shumë mbështetjen e tifozëve në ndeshjen kundër Fiorentinës. Shtyrja që na jep “Olimpico” është thelbësore. Idealja do të ishte të kalonim nga 30 mijë tifozë të pranishëm në 40 mijë. Më emocionon ndjenja e rinisjes që ekziston në Gjermani. Hamburg luan në kategorinë e dytë dhe ka 55 mijë tifozë në stadium, ndërsa Kaizerslautern në kategorinë e tretë ka 45 mijë tifozë në stadium.”