Analiza e Sakit: Gatuzo ka “ringjallur” Milanin. CR7? Ja si ndalet!

Nesër në mbrëmje zhvillohet ndeshja Milan-Juventus dhe për një takim të tillë, nuk mund të mos mungonte analiza e Arrigo Sakit. 72-vjeçari është një mjeshtër i vërtetë, një revolucionar dhe romantik i futbollit. Me të në stol dhe me treshen holandeze dhe lojtarë si Barezi e Maldini në fushë, Milani pushtoi botën në vitet ’90, nëpërmjet një futbolli të mrekullueshëm.

Kuqezinjtë kishin fituar më parë, kanë fituar dhe pas tij, por Milani i Sakit mendohet në masë të gjerë si skuadra më e madhe e historisë së futbollit. Ky i fundit ka folur për “Gazzetto dello Sport”, ku flet për sfidën e së dielës. Elozhe për të dy ekipet, respekt për punën e Gatuzos, madje Saki tregon dhe të vetmen mënyrë se si mund të ndalet Kristiano Ronaldo.

Ai shpreson në një fitore të Milanit, por lodhja e ndeshjes kundër Betisit në Europa League është një problem i madh. Megjithatë, kuqezinjtë janë të karikuar dhe Gatuzo i ka rikthyer identitetin e munguar në vitet e fundit ekipit të “Djallit”.

NDESHJA KUNDËR JUVES – “Nuk pretendoj të shoh Milanin, duke bërë presing në sulm, por nuk dua ta shoh duke u mbrojtur në zonë. Do të kënaqesha me një vijë të mesme. Mendoj se çelësi i sfidës do të jetë ekuilibri në fazën kur nuk je në zotërim të topit. Ndeshja me Betisin do të ndikojë shumë. Të luash të enjten në mbrëmje, madje në transfertë, është një handikap i madh. Mendojeni pak: pas garës në Sevilje, lojtarët janë ngjitur në avion për t’u rikthyer në Milanelo, janë ulur për të fjetur në orën 4 të mëngjesit dhe si mendoni se do të rikuperohen energjitë? Janë vetëm 48 orë për të përgatitur ndeshjen kundër Juves. Pak, shumë pak.”

SAN SIRO – “Nuk ka asnjë problem në aspektin e motivimit. Këto ndeshje janë speciale, stadiumi plot është benzinë për lojtarët. Ajo që pyes vetën është: do të arrijë Milani të mbajë ritmin e ndeshjes në aspektin fizik? Gatuzo ka bërë një punë të madhe deri më tani, sidomos në aspektin psikologjik. I ka rikthyer dinjitetin e humbur skuadrës, ua ka bërë të qartë lojtarëve se çfarë do të thotë të luash për Milanin. Por, Juventus ka një potencial të madh, ka njerëz, të cilët mund të vendosin ndeshjen në një episod të vetëm. Jo vetëm Kristiano Ronaldo, por dhe Dibala, Kuadrado, Manxhukiç dhe më falni nëse harroj ndonjë. Kampionë fantastikë.”

GATUZO – “Rino është një fenomen, më besoni. I ka dhënë shpirt Milanit, ka sjellë krenari dhe ndjenjë përkatësie. Gjithashtu po praktikon një futboll të bukur. Milanit i mungon pak shpejtësi dhe presing. Por këta djem kurrë nuk heqin dorë, fitojnë ndeshjet edhe në sekondat e fundit. Dhe Rino është një nga ata që jep jetën për futbollin dhe për lojtarët e tij.”

CR7 – “Si markohet Ronaldo? Me anë të skuadrës. Kur Milani im luante kundër Napolit të Maradonës, unë u thoja lojtarëve: “gjëja më e rëndësishme është që të marrë më pak topa se zakonisht“. Kjo mund të arrihet vetëm përmes presingut. Nëse gjen mënyrën që të mos lejosh pasime drejt Ronaldos, e heq nga ndeshja, sepse ai është lojtari që mbyll aksionet.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *