Analiza e Jupit, problemet e futbollit shqiptar dhe kombëtaret e moshave

Redi Jupi momentalisht është i angazhuar me akademinë e tij, Football Republic. Që prej largimit nga drejtimi i Shpresave e kemi parë më së shumti në TV në rolin e specialistit të futbollit dhe mbrëmë në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport ka folur kryesisht për futbollin e të moshave.

A ka talente te kombëtaret e moshave? Sigurisht që ka, por për Jupin problemi është tjetër dhe ngre një shqetësim madhor. “Dua ta zgjeroj pak këtë temë, pasi është e rëndësishme dhe shumë komplekse. Ne jemi një komb që shikon shumë futboll, por luan pak, pasi kemi numrin më të ulët të të rinjve që ushtrojnë futboll, krahasuar me rajonin dhe botën”, shprehet fillimisht Jupi.

Sigurisht që të ushtrohesh duhet të ketë fusha sportive. Në kryeqytet mundësia e vetme janë kalccetot dhe komplekset private të ndërtuara vitet e fundit. Jupi e pranon se ndikon edhe mungesa e infrastrukturës.

“Natyrisht që edhe kjo ka njëfarë ndikimi, por ajo që është për t’u theksuar, është se edhe ato pak fusha që kemi, i shohim thuajse gjatë gjithë kohës bosh. Po të shohësh në rajon, ka njerëz të grupmoshave të ndryshme, që luajnë në mënyrë të organizuar, gjë që nuk ndodh këtu. Problem tjetër është edhe mungesa e shkollave të futbollit, pasi edhe ato pak ekipe tradite, nxjerrin futbollistë në mënyrë sporadike. Kjo bën që futbollistët shqiptarë të vijnë në futbollin profesionist me stërvitje shumë të keqe dhe me shumë pak minuta në këmbë dhe duhet të mësojnë në ndeshje zyrtare, ato që duhet t’i kishin mësuar gjatë ushtrimit të futbollit në moshë të re”.

Jupi ka komentuar edhe rezultatet negative të kombëtareve të moshave: “Në fakt edhe mund të humben ndeshjet, por është e sigurt, që kundërshtarët tanë nuk kanë qenë në atë nivel, sa për të na mundur aq lehtë dhe me rezultat të thellë. Ndaj unë mendoj që ka problem që në strategji, organizim, mënyrën e seleksionimit të futbollistëve, etj”.

Ish-trajneri i Shpresave ka theksuar se nuk ka paragjykim te moshat për lojtarët e kampionatit vendas: “Me Kombëtaren e madhe dhe me atë Shpresa, edhe mund të ndodhë, por me moshat U-19 dhe më poshtë, nuk ekzistojnë aspak këto lloj paragjykimesh dhe nuk shikohet aspak nga vjen lojtari”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *