Napoli zhvilloi një ndeshje shumë të mirë përballë Juventusit, por pa arritur të shmangë humbjen. Elseid Hysaj luajti gjatë gjithë 90 minutëshit dhe shkodrani kapet te episodi I kartonit të kuq në prononcimin e dhënë pas ndeshjes.
Mbrojtësi, i cili mbrëmë u aktivizua në krahun e majtë, insiston se duhej thirrur VAR-i në rastin e daljes së portierit Meret me të kuqe. Hysaj ka një shpjegim për rastin në fjalë, vlerëson paraqitjen e ekipit të tij dhe zbulon se ku duhet përmirësuar Napoli për të qënë gati për përballjen kundër Salcburgut në Ligën e Europës.
KARTONI KUQ – “Sigurisht që na vjen keq për episodin e ndodhur. Ishte nje rast që duhej parë në VAR. Prandaj është teknologjia, për të parë nëse ka gabime, nëse kundërshtari mund të arrinte te topi. Nëse nuk do arrinte te topi, atëherë nuk ështe e kuqe direkte. Duhej thirrur VAR-i dhe më pas duhej marrë vendimi.”
SALCBURGU – “Duhet të marrim gjërat pozitive që bëmë kundër Juves dhe të luajmë njësoj me Salcburgun. Nuk duhet ta nisim pjesën e parë si kundër bardhezinjve, por duhet të tregohemi më agresiv që në fillim. Mund të bëjmë shumë gjëra të bukura.”
NDRYSHIMI MES PJESËVE – “Duhet të ishim pak më të përqendruar në fillim të ndeshjes. Më pas ndodhi episodi ku mbetem me 10 lojtarë. Krijuam mundësinë për të barazuar direkt, por nuk ia dolëm. Treguam që mund të përballemi me ta dhe mund të përballemi mirë. Nuk mund të them që jemi më të fortë se Juventusi, por jemi të kënaqur me ndeshjen që kemi zhvilluar.”