Mauro Ikardi ka nisur sezonin e gjashtë me Interin dhe sulmuesi argjentinas është i lumtur tek ekipi zikaltër. Kapiteni i skuadrës ka dhënë një intervistë tepër interesante në “Inter TV”, ku tregon shumë detaje nga jeta jashtë fushave të blerta.
25-vjeçari është rritur shumë si njeri dhe futbollist në Milano dhe ka vetëm falënderime për klubin e tij. Ikardi zbulon shumë nga jeta e tij, duke nisur nga pasionet, përditshmëria, koha e lirë, idhujt që ka patur dhe familja.
“Nuk më pëlqen kur ambienti është i heshtur. Vendos kufjet dhe dëgjoj muzikë për të ndryshuar moralin. Më pëlqen kitara klasike, më ka pëlqyer gjithmonë. Postoj shumë nga jeta private dhe ajo me Interin në rrjetet sociale. Më pëlqen të ndaj me tifozët përditshmërinë time. Babai im është një kuzhinier i madh, më pëlqen të gatuaj, por nuk e bëj shpesh. Më pëlqen mishi i pjekur argjentinas. Në Itali jam mësuar t’i ha shumë makaronat. Nuk kam probleme me ushqimin, më pëlqen të ha gjithçka. Në Afrikë kam provuar dhe krokodilin. Më pëlqen peshkimi, por preferoj të qëndroj në shtëpi me fëmijët e mi. Një gjë e tillë e acaron Vandën, sepse dëshiron që të dalim.”
“Nuk jam një fans, por më pëlqen të shoh shumë TV, sidomos gjatë grumbullimeve me ekipin. Kam katër qen, kam një akuarium gjigant dhe së shpejti do të vendosim aty një peshkaqen. Dhurata e parë që kam marrë për Krishtlindje ishte një biçikletë, që e dëshiroja shumë. Më pëlqen të luaj ‘play-station’ në shtëpi më fëmijët e mi.”
“Dita ime? Çohem në mëngjes, shkoj në stërvitje, rikthehem në shtëpi, dal shëtitje me qentë e mi dhe pastaj kthehem përsëri në shtëpi për të luajtur me fëmijët. Në verë qëndrojmë në pishinë. Preferoj detin dhe nuk kam një raport të mirë me të ftohtin. Më parë më pëlqente Barcelona si qytet, ndërsa Milanos i mungon deti. Preferoj të vizitoj Tokion, është një qytet i bukur dhe Nagatomo më ka folur shumë për të.”
“Largimi nga shtëpia? Fillimi ishte i vështirë, por jam mësuar dhe nuk kam vuajtur shumë. Ndeshjen e parë e kam luajtur në Kanarie, ku mblidhja topat për skuadrën time. I vogël aktivizohesha në të gjitha rolet, madje kam luajtur dhe në portë. Golin e parë nuk e mbaj mend, kam shënuar shumë. Idhulli im ka qenë Gabriel Batitusta, ndërsa më pas ishte Eto te Barcelona. Do të merresha me sport, edhe nëse nuk do të luaja futboll. San Siro është spektakolar. Më pëlqen kur tifozët këndojnë ‘Pazza Amala’. Fëmijët e mi e këndojnë të gjithë dhe e kanë në iPodet e tyre. Është gjithmonë bukur të luash në stadiumin tonë. Interi më ka dhënë shumë, më ka rritur si njeri dhe futbollist. Isha 20 vjeç kur erdha këtu. Falënderoj Interin dhe Milanon për jetën që po bëj“, përfundon Mauro Ikardi.