Danilo Alvesh është transferuar në Kazakistan te skuadra e Okzhetpes, por nuk mund ta zbrazë kokën e tij nga kujtimet e marra nga Shqipëria. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për “Sports.kz”, teksa flet për futbollin në vendin tonë, eksperiencën te Flamurtari dhe largimin.
“Kam kaluar një periudhë të mirë në Shqipëri. Luajta për tre vite te Flamurtari, por gjithmonë kemi pasur probleme me pagesat. Nga tre sezonet e shkuara, ky i sivjetshmi ka qenë më i keqi. Gjysmë sezoni pa u paguar dhe mendoj se kisha të drejtë të largohesha. U përpoqa ta bëja me marrëveshje, ku unë të merrja pagat e pesë muajve për punën e bërë. Klubi më tha se nuk do më lejonte largohesha. Do kisha dashur të rikthehesha, por kam një familje dhe nuk mund të punoj pa para për muaj të tërë. Ndaj iu drejtova FIFA-s për kontratën”, tregon Alvesh në intervistën e tij.
Eksperienca e tij në Shqipëri konsiderohet pozitive dhe braziliani e thotë vetë diçka të tillë: “Isha i lidhur me Shqipërinë, njerëzit atje më kanë trajtuar mirë mua dhe familjen time. Futbolli atje është shumë konkurrues dhe i fortë. Ishte eksperienca ime e parë larg Brazilit. Më ka pëlqyer atje, ishte një përvojë e mrekullueshme. Mësova shumë. Atje jetojnë me futbollin, flasin vetëm për futboll dhe ka shumë konkurrencë. Gjithashtu ka edhe shumë gjëra që duhen përmirësuar”.
Alvesh ka folur edhe për eksperiencën në Turqi, teksa ka përsëritur se nuk ishte një përvojë e mirë. Klubi nuk po i jepte një shtëpi për të jetuar me familjen dhe për të nuk ishte komode të jetonte në hotel, e për më tepër ia ndryshonin shpesh. Probleme edhe me ushqimin, deri në atë pikë sa edhe Enzo, djali i tij, pati probleme shëndetësore.
“Shtëpia ku jetonim ishte shumë e vogël për të përgatitur ushqim vetë. Në fund më kërkuan të largohesha dhe u ktheva në Shqipëri menjëherë. Ishte dita e fundit e merkatos”, shton Danilo Alvesh, që nuk bie dakord kur pyetet nëse Europa është e vështirë.
“Nuk e mendoj kështu. E gjitha varet nga vullneti që ke. Falënderoj Zotin, pasi në Shqipëri u përshtata shpejt, edhe pse klima ndryshon shumë nga ajo në Brazil. Ishte shumë ftohtë. Nëse je i qetë dhe kokën e ke në rregull, problemet zgjidhen lehtë”, shprehet sulmuesi, që do të duhet të përballojë tanimë të ftohtin e Kazakiztanit.
“Këtu është më ftohtë se në Shqipëri? (Qesh). Kjo më frikëson pak. Jam përpjekur të marr informacion në lidhje me këtë dhe e pashë se është shumë ftohtë. Gjithsesi jam i sigurt se kjo nuk do të jetë një problem për. Jam i lumtur dhe i motivuar për të ndihmuar ekipin, trajnerin dhe shokët e skuadrës”, deklaroi Alvesh mes të tjerash.