Sulmuesi ka shtyrë me një javë kthimin, por më e rëndësishmja për momentin është fakti që ai do të jetë pjesë e Flamurtarit edhe sezonin e ardhshëm
Elton Nika
Danilo Alvesh do të rikthehet në Vlorë. Braziliani e ka konfirmuar diçka të tillë pas një kontakti me trajnerin Shpëtim Duro dhe do të jetë pranë skuadrës më 26 korrik, duke i dhënë zhvillime të reja “telenovelës” që vijon prej qershorit dhe që lidhet me të ardhmen e sulmuesit brazilian. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka konfirmuar për “Sport Ekspres” se lojtari ka komunikuar me vetë trajnerin, por edhe me klubin, se rikthimi i tij në Vlorë nuk do të jetë në datë më 19 korrik, por në datën 26, duke e lidhur gjithçka me një problem familjar. Kështu, ka marrë kthesë të rëndësishme e ardhmja e lojtarit, që tashmë dhe për sezonin e ardhshëm futbollistik do të jetë pjesë e Flamurtarit, duke respektuar kontratën që ka me vlonjatët deri në maj të vitit 2018. Drejtuesit dhe administratori Idrizi e kanë deklaruar disa herë se lojtari është likuiduar totalisht dhe se nuk ka një çështje financiare ndaj tij. Sulmuesi deklaronte nga Brazili se nuk kthehej në Vlorë, por në mes qëndronte edhe një kontratë që ai ka nënshkruar me Flamurtarin, çka nuk e lejonte të bënte asnjë lëvizje. Tashmë Alvesh do t’i bashkohet skuadrës në Mavrovë gjatë fazës përgatitore.
DURO – Trajneri Shpëtim Duro që dje nisi punën në krye të Flamurtarit për sezonin e ri dhe pritet shumë, pasi skuadra ka bërë disa lëvizje në merkato dhe bëhet fjalë për lojtarë cilësorë. Ekipi është ngritur bazuar në idetë e trajnerit Duro dhe tanimë duhen marrë frytet e punës në fushën blertë. “Ne startuam dje, por stërvitja fillon sot, kur edhe do të kryhen testet mjekësore. Gjatë tre ditëve që do të qëndrojmë në Vlorë, ne do të kryejmë nga një seancë stërvitore gjatë pasdites. Do të mungojë vetëm Alvesh, i cili vjen pas disa ditësh. Alvesh është i yni, ka një kontratë dhe kjo mbyll gjithçka, referuar asaj çfarë është thënë gjatë kësaj kohe. Ditët e para në Vlorë do të kryejmë nga një seancë stërvitore.
“Sezoni i ardhshëm? Tashmë fillimisht mendojmë vetëm të përgatitemi dhe të kryejmë stërvitje, pasi ka ende shumë kohë nga nisja e kampionatit. Jemi një skuadër me shumë ndryshime, megjithatë jam i mendimit se kemi bërë një merkato mjaft të mirë, megjithatë tani është ende shumë shpejt. Qëllimi mbetet përgatitja dhe të jemi gati kur të nisë kampionati”, është shprehur Duro për gazetën.