Një vit më parë presidenti Safet Gjici e fajësonte për golin e pësuar dhe Albi Alla më pas përfundoi në stol. Sot Mbrojtësi ishte kundër Kukësit dhe ironia e fatit deshi që ai të shënonte golin e vetëm të ndeshje, që vlejti tre pikët për kuqezinjtë. Debutimi perfekt, për shumë arsye.
Sigurisht nuk mund të shprehë mllef publikisht, por Alla e kishte ndarë mendjen prej kohësh të largohej nga Kukësi. Sot e ka festë. “Rëndësi ka që morëm tre pikët. Kjo është ironia e futbollit, shënova ndaj Kukësit, prej ku ika. Gol i rëndësishëm për pretendimet tona, por nuk shohim larg, thjesht ndeshjen e radhës, duke punuar çdo ditë në fushë”, u shpreh Alla në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
Për mbrojtësin ishte goli i parë i realizuar në Shqipëri. Katër vite më parë kishte shënuar në Greqi me fanellën e Panaçaiki: “Gol kam shënuar edhe një herë në Kupën e Greqisë, por natyrisht sot jam shumë i lumtur”.
Shqipëria ka probleme në mbrojtje dhe Alla e ka veshur edhe më parë fanellën kuqezi. “E ëndërrojmë të gjithë, e kam provuar atë fanellë dhe e di se duhet të punoj shumë e të jem në nivel të lartë për të tërhequr vëmendjen e trajnerit”, përfundoi mbrojtësi i Flamurtarit.