Alla gjithnjë e më larg Kukësit, disa opsione për qendërmbrojtësin

Aventura e Allës me Kukësin duket se është në fund. Qendërmbrojtësi u ndëshkua me karton të kuq në takimin e kthimit me Karabakut dhe detyrimisht nuk do të jetë gati për ndeshjen e parë me Torpedo Kutasi në ndeshjen e parë të turit të tretë në Europa League. Kontrata e Allës me Kukësin përfundon pas kupave të Europës, por duket se do të kemi një “divorc” të parakohshëm.

Ashtu siç “Sport Ekspres” ka raportuar dhe dje, të dyja palët duket se janë të interesuara që ta mbyllin këtu bashkëpunimin. Alla ka një rrogë relativisht të lartë dhe nëse do të qëndrojë dhe Kukësi mund ta ketë më të leverdishme ta kursejë një rrogë, pasi jemi në fillim të muajit. Në anën tjetër duket se dhe mbrojtësi do ketë më shumë mundësi për t’u akomoduar në një ekip të ri.

Për Allën ka pasur interesim edhe nga jashtë vendit në të shkuarën, por mbetet për t’u parë se çdo të ndodhë. Shanset e rinovimit mund të thuhet se janë zero, pasi penalltia dhe kartoni i kuq i marrë në ndeshjen e fundit mund të kenë vendosur shumëçka për të ardhmen e 25-vjeçarit.

Mbrojtësi pogradecar në të shkuarën është aktivizuar dhe me Bylisin në Shqipëri, ndërsa më herët ka luajtur vetëm në Greqi. Po ashtu Alla është grumbulluar në dy ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë dhe nga trajneri Xhani De Biazi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *