Skënderbeu do të luajë të shtunën në transfertë kundër Tiranës. Një ndeshje që do të luhet pa praninë e publikut, pasi bardheblutë u dënuan pas incidenteve që ndodhen me përfundimin e takimit me Kukësin.
Korçarët synojnë ta marrin pikët e plota, por e dinë që nuk do të jetë e lehtë. Mbrojtësi Fidan Aliti ka kujtuar ndeshjen e parë në shtëpi, por gjithsesi ka besim se pikët e lëna do rikuperohen. “Të gjithë lojtarë e kanë në kokë ndeshjen me Tiranën në Korçë. Nuk ishte e lehtë. I lamë dy pikë dhe do i marrim në Tiranë. E dimë forcën tonë dhe nuk kemi pse frikësohemi”, tha mes të tjerash Aliti për “RTSH Sport”.
Mbrojtësi ka komentuar edhe fitoren 4-0 me Azerbajxhanin dhe renditjen në vendin e parë në grup. “Ishte një fitore e madhe për shtetin tonë, për kosovarët dhe shqiptarët”, shtoi Aliti, i cili në fund nuk e fsheh dëshirën për të luajtur në një kampionat më të fortë.
“Skënderbeu është si trampolinë. Ndeshjet me përfaqësuesen janë gjë e mirë. Shpresojmë të iki jashtë, por presim çfarë do të ndodhë në janar”, përfundoi Aliti, i cili është një nga pikat më të forta të Skënderbeut.