Xhenoa i shkaktoi humbjen e parë në kampionat Juventusit. Golat e ish-it Sturaro dhe Goran Pandev i dhuruan fitoren ekipit të Çezare Prandelit. Lodhja e madhe në ndeshjen kundër Atletikos ndikoi, por bardhezinjtë janë shumë pikë avantazh në kampionat dhe ndonjë gabim pranohet.
Maks Alegri nuk kërkon ta bëjë dramë humbjen e sotme, që i kujton atë kundër Atalantës në Kupën e Italisë. Megjithatë, trajneri pranon se kjo ka ardhur në momentin e duhur, pikërisht përpara pauzës për shkak të ndeshjeve të kombëtares.
“Prisja një tjetër Juventus. Nuk bëmë një performancë të mirë dhe bëmë gabime. Më pas erdhën golat e tyre, që erdhën nga askund. Më është dukur si humbja ndaj Atalantës në Kupë. Zgjodhëm ndeshjen e duhur për të humbur, sepse është pikërisht përpara pushimeve të kombëtares. Padyshim, ajo shtysa që dhamë ndaj Atletikos ndikoi te ne. Nuk mund të luash çdo ndeshje me të njëjtin intensitet. Është e pamundur të fitosh çdo ndeshje dhe këtë gjë e kam thënë që në fillim të kampionatit. Gjithsesi, nuk duhet ta bëjmë dramë“, theksoi trajneri i Juventusit.