Alegri: Njerëzit duan vetëm fitore 3-0, çështja “Dibala” është mbyllur

Juventus do të luajë pasditen e nesërme në transfertë ndaj Sasuolos. Një sfidë, që paraqitet delikate për bardhezinjtë, të cilët vijnë nga një moment jo i mirë. Masimiliano Alegri, ka folur në kuadër të ndeshjes, teksa ka dalë përpara mediave. Tekniku ka diskutuar mbi çështjen Dibala, teksa ka dhënë dhe lajme të reja mbi situatën e të dëmtuarve.

MBROJTJA – “Nëse doni një titull, e jap që tani: BBC është gati përsëri. Ata do të kthehen në stërvitje të plotë javën e ardhshme. Gati janë të gjithë gati, përveç Huan Kuadrados. Nesër mund të luajmë me De Shiljon, Kaseres, Rugani e Aleks Sandro me Kanselon si një alternativë të mirë nga stoli.”

ÇËSHTJA DIBALA – “Dibala ka kërkuar falje, gjë që pritej nga një djalë si ai. Klubi i ka dhënë përgjegjësinë e numrit 10 mbi shpinë. Paulo e ka kuptuar situatën dhe çështja është mbyllur. Nesër do të luajë ai ose Bernardeski. Njëri prej tyre.”

NDESHJA – “Sasuolo është një ekip entuziast, i cili nuk ka presion për të marrë rezultat, kështu që na duhet të japim një ndeshje e madhe, sidomos në mbrojtje. Dua që të përmirësojmë kreativitetin dhe favën difensive. Në momentin që arrijmë t’i balancojmë të gjithë komponentët, atëherë do të jemi gati për t’i bërë një mbylljë të shkëlqyer sezoni.”

FORMA JO E MIRË – “Njerëzit presin që Juve të fitojë çdo ndeshje 3-0, pa pësuar asnjëherë gol. Kemi 60 pikë dhe jemi mbrojtja më e mirë në kampionat. Duhet të fokusohemi në fitimin e Serisë A, e cila absolutisht nuk ka përfunduar. Nuk dua që të humbasim mendjen nga kampionati, pasi mendojmë për të fituar Championsin.”

DAGLLAS KOSTA – “Është një situatë e çuditshme me Dagllas Kostën. E nisi sezonin shumë mirë, më pas bëri veprimin ndaj Sasuolos, ku mori një pezullim prej katër ndeshjesh. Më pas u dëmtua, u rikthye dhe të dielën mori një tjetër dëmtim. Ndërsa për sa i përket aksidentit, është jeta e tij private.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *