E shtunë, ora 18.00, nis Seria A dhe futbolli italian takon Kristiano Ronaldon. “Kristiano do të luajë nga minuta e parë. Nuk i kam dhënë asnjë këshillë, edhe ai vetë është kurioz për debutimin në Itali”, deklaroi sot trajneri Maks Alegri në konferencën për shtyp para ndeshjes, ku natyrisht kishte tema pa fund për të trajtuar. “Shçesni, Kielini, Bonuçi, Kanselo e Aleks Sandro do të luajnë në mbrojtje, Pjaniç në mesfushë”, shton Alegri, i cili praktikisht zbulon formacionin, sepse edhe Emre Xhan, Kedira e Matuidi priten titullarë, ashtu si Dibala.
Markizio është larguar sot nga Juventusi: “Duhet ta falënderoj, në 4 vite punë së bashku ka qenë një shembull, një futbollist dhe njeri i madh. Ishte një vendim i përbashkët, ai do të provojë një eksperiencë të re gjetkë”.
Do të luhet në ditë zie: “Nuk ka vend për shumë fjalë pas tragjedisë në Xhenova. Ne do të luajmë në ditë zie, por është e drejtë që ndeshjet e Sampdorias dhe Xhenoas të mos luhen. Ka shumë për të bërë në Itali”.
Merkatoja dhe e ardhmja: “Mendoj se kemi mbyllur gjithçka në merkato, pse e shumta mund të kemi lëvizje në ekipin B. E ardhmja ime? Çdo vit thonë që do jetë i fundit, por ja ku jam, i qetë dhe në harmoni me klubin. Ndoshta është viti i duhur për Champions League”.