Alban Hoxha: Nuk ishim vetvetja, ju tregoj ku “çaloi” Partizani!

Alban Hoxha e pranon barazimin në derbi. Portieri i të kuqve mendon se duhet të kishin bërë diçka më shumë për të fituar, kjo për shkak të objektivit që kanë. Gjithsesi tashmë gjithçka ma mbaruar dhe “gardiani” cërrikas dhe shokët e tij duhet t’i gëzohen faktit që nuk humbin prej në derbi për të 16-n herë radhazi.

“Kur nuk humb, aq më shumë në derbi, është gjë e mirë. Megjithatë, sot nuk treguam diçka të mirë. Ne kemi komplet objektiva të tjerë. Duhet ta kishim marrë më me qetësi këtë derbi dhe të mendonim më shumë për fitoren. Gjithsesi, them se edhe barazimi na kënaq”, shprehet Hoxha pas ndeshjes.

ROLI I PROTAGONISTIT – Në konferencë, Bruno Telushi e tha hapur: “Mjafton të fitojë Partizani, nuk më intereson kush shënon. Le ta bëjë golin edhe Alban Hoxha”. Vlonjati vetë u ndal nga shtylla, kurse portieri ishte shpëtimtar dhe në njëfarë mënyrë i bëri “golat” e tij.

“Më bëhet qejfi, që ndoshta pika është marrë prej meje. Megjithatë, kjo është puna ime dhe gjithmonë jam munduar që të jap maksimumin dhe të shpëtoj skuadrën. Ndoshta një ndeshje unë, një Telushi, Mala, Bardhi e kështu me radhë. Jemi ekip dhe hyjmë në fushë për të zgjidhur takimet e skuadrës. Sot më qëlloi që ta shpëtoj unë ekipin, ndeshjen tjetër shpresoj që ta shpëtojë sulmi”, shtoi Alban Hoxha.

NDESHJA JO E MIRË -“Është e vërtetë që në këtë derbi nuk ishim vetvetja, nuk e kishim rrjedhshmërinë në lojë, si dhe na mungoi qetësia e duhur. Në njëfarë mënyre duhen kuptuar edhe djemtë e rinj që kemi në ekip, pasi janë nga 20 vjeç dhe nuk mund ta mbajnë gjithë peshën e kampionatit. Deri tani e kanë mbajtur Mala, Bardhi dhe Asani. Janë ca gjëra që edhe duhet t’i kuptosh. Janë djem të rinj, po rriten dhe shpresoj që në ndeshjet e tjera të mos jetë më ai presioni i madh i kampionatit. Ndonjëherë kjo bën edhe keq”.

“Te mungesa e rrjedhshmërisë në lojë, ndikoi presioni apo ndryshimet në ofensivë, pasi u pa Mala i tërhequr në qendër, Mensah në krah dhe Duka si organizator? Mendoj se kjo e fundit ka qenë, pasi u futën nga fillimi disa lojtarë, këto që përmendët ju, si Duka, apo Idrizaj, që nuk janë ambientuar mirë me ekipin. Trashi ishte një mungesë e madhe për ne. Mendoj se prej këtyre gjërave nuk ishte edhe ajo rrjedhshmëria e lojës sonë”.

RIVALËT DIREKT DHE TIFOZËT – Pas derbit për Partizanin janë në program dy përballje mjaft të vështira, me skuadrat rivale si Kukësi e Teuta. “Nga një anë mësuam diçka nga ky derb dhe shpresoj që në ndeshjet me Teutën dhe Kukësin të hyjmë në fushë më të qetë, më të lirshëm, sepse normalisht edhe po humbe nuk është se do të ndodhë ndonjë çudi e madhe. Ne na e fusin këtë presion. Duhet ta mbajmë sa më larg këtë presion, por edhe ata do të kërkojnë pikët e tyre. Shpresoj që të kemi mësuar diçka nga kjo ndeshje e fundit”, shtoi portieri i të kuqve.

Në derbi stadiumi ishte plot, kurse dy ndeshjet e radhës me Teutën në kampionat dhe me Luftëtarin në Kupë, “Selman Stërmasi” do të jetë i boshatisur. Partizani është i dënuar të luajë dy ndeshje pa tifozë, ndërkohë që faktin që do luajnë në një stadium bosh e komenton në fund edhe Hoxha: “Normalisht, për një lojtar është e vështirë të luhet pa tifozë. Por kjo është diçka që nuk është në dorën tonë”.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *