Kukësi nuk ia ka dalë të fitojë me rivalët për titull, madje dy takimet e fundit me Skënderbeun dhe Partizanin i kanë humbur. Kapiteni Ylli Shameti, pas ndeshjen me të kuqtë, është shprehur se duhen marrë përgjegjësitë për dy disfatat e fundit. Për gjirokastriten nuk është më çështje fati kur ndodh shpesh.
“Po u përsëriten disa ndeshje që ndëshkohesh me një episod dhe të mos shënosh në rastet e krijuara, pa diskutim që nuk është më çështje fati. Është faji jonë dhe duhet të marrë secili përgjegjësitë e veta. Padyshim janë dy ndeshje që dhembin, me dy rivalë direkt. Në këtë lloj rruge, në këtë lloj mënyrë nuk shkohet për titull kampion. Duhet të punojmë shumë, të gjejmë urgjent gabimet në pësimin e golave dhe në rastet e humbura”.
Atmosfera në dhomat e zhveshjes normalisht që nuk është më e mira dhe në intervistën që Shameti ka dhënë në “Top Channel” e ka pranuar.
“Nëse do të kesh një vazhdimësi pozitive që të arrish objektivat nuk duhet të qëllojë që të humbësh dy ndeshje radhazi me rivalët direkt. Pa diskutim që kemi fituar ndeshjet e tjera dhe kemi qarë rastet e humbura, kurse në këto momente i kemi qarë edhe më shumë sepse kemi humbur. Zymtësia logjikisht vjen paralelisht me humbjen. Duhet të gjejmë forcat, pasi ka akoma ndeshje. Këto pikë të lëna do ndikojnë jashtëzakonisht shumë në vazhdimësi”.
Në fund ai thekson se mungesat e Musollit dhe Rrumbullakut nuk janë shkaku kryesor për rezultatet e fundit, pasi në ekip ka edhe lojtarë të tjerë që duhet të tregojnë se janë të denjë për t’i zëvendësuar këta dy titullarë.
“Nuk mendoj se dy lojtarë bëjnë diferencë kaq të madhe në ekipin. Pa diskutim që Musolli dhe Rrumbullaku janë pjesë bazë e Kukësit, por çfarë duhet të bëjmë ne? Të kthejmë kokën prapa e të qajmë? Ata që kanë qenë zëvendësues dhe kanë pritur momentin për të luajtur tani duhet të shfrytëzojnë mundësinë, të thonë ‘këtu jemi, ne e meritojmë formacion’. Në këtë mënyrë ecet përpara. Nuk ecet përpara as me deklarata e as me mërzi të tipit pse loz unë, pse loz ai tjetri. Dy vende janë vakante tani, ata që kanë luajtur në vend të tyre logjikisht duhet të japin akoma më shumë që të plotësojnë jo vetëm boshllëkun e lojtarëve të dëmtuar, por t’i japin edhe një shtysë më të madhe ekipit”.