Alan, Piatek dhe rikthimi | Ançeloti: Nuk do doja kurrë të përballesha me Milanin!

Ishte vera e vitit 2009 kur Milani humbiste tre shtylla të ekipit: Paolo Maldinin, Rikardo Kakanë dhe Karlo Ançelotin. I pari i jepte fund një karriere të pabesueshme, braziliani largohej drejt Realit të Madridit, ndërsa trajneri ulej në stolin e Çelsit.

Moment i vështirë për tifozët e “djallit”, ndërsa ajo verë ishte fillimi i fundit të Milanit të mrekullueshëm të Ançelotit. Trajneri rikthehet nesër në “San Siro” për herë të parë që nga vera e vitit 2009 dhe do të provojë emocione të forta. Sot drejton Napolin, por tifozët e Milanit janë gati t’i dhurojnë një mikpritje të denjë idhullit të tyre.

Ançeloti ka folur në konferencën duke u ndalur te situata e Alan dhe merkato e klubit. Lozano i PSV është dëshira e madhe, ndërsa Karleto flet dhe për përballjen me Milanin dhe Xhenaro Gatuzon. Në fund elozhet për sulmuesin Kristof Piatek, blerjen e re të kuqezinjve.

ALAN – “Alan nuk është stërvitur shumë dhe ka kaluar një javë të vështirë. Unë di vetëm një gjë: ai do të qëndroje me ne dhe po e përgatisim për ndeshjen e së martës (Milani dhe Napoli ndeshen për Kupën e Italisë). Alan është një lojtar i rëndësishëm për ne dhe do të jetë dhe më shumë në pjesën e dytë të sezonit. Ne nuk kishim nevojë ta shisnim atë, kështu që çdo gjë është e qartë. Ekzistonte mundësia që PSG ta blinte, por ka kushte dhe kërkesa. Nëse oferta nuk e kënaq klubin, asgjë nuk ndryshon.”

MERKATO – “Klubi është i vëmendshëm ndaj asaj që ndodh jashtë Italisë. Fornals është një nga lojtarët e shumtë që po ndjekim, por jo i vetmi. Ai është në listën e lojtarëve të rinj që ne preferojmë. Lozano? Ai është një futbollist fantastik dhe është gjithashtu pjesë e listës tonë. Rog? Ai ka marrë një ofertë, por situata e tij është e pasigurt. Marko mund të huazohet, por vetëm në bazë të kushteve tona.”

SAN SIRO – “Jam i bindur se ajo që ndodhi me datë 26 dhjetor nuk do të përsëritet më. Kam kënaqësinë që të rikthehem nesër në një stadium ku kam përjetuar shumë emocione. Në aspektin emocional nuk do të dëshiroja kurrë të përballesha me Milanin, por sërish do të jetë një tronditje e madhe të përballem me Gatuzon, një nga lojtarët kyç të ekipit tim.”

PIATEK – “Kristof është paraqitur shumë mirë dhe ka treguar cilësi të rëndësishme. Ai është një sulmues modern, si dhe ka instinktin e golashënuesit. Jam i bindur që do të bëjë mirë me Milanin, por nga ana tjetër unë kam Milik.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *