Akuzat për akademinë, Luftëtari: E vërteta është kjo!

Klubi i Luftëtarit ka reaguar pas akuzave që shkojnë në drejtim të bluzinjve në lidhje me ekipet U13 dhe U15, të drejtuara nga Gazmend Bimi dhe Besmir Sinani. Një fotografi, ku këto ekipe shfaqen me fanellat e Panathinaikos, ka bërë që të ketë aludime të shumta se persona të caktuar shfrytëzojnë fëmijët e akademisë Luftëtarit për qëllime personale.

Në reagimin e klubit bluzi thuhet se në stërvitje ka pasur edhe fëmijë të klubit grek, me të cilin Luftëtari thuhet se ka marrëveshje për të shkëmbyer eksperienca në ndërtimin e një akademie moderne.

Ekipet e moshave të Luftëtarit, të veshura me fanellat e Panathinaikos | Foto e postuar nga Shqiponjat Bluzi 2011 në Facebook

REAGIMI I LUFTËTARIT – “Luftëtari ndien detyrimin të sqarojë opinionin publik se Akademia Luftëtari nuk është përdorur dhe nuk do të përdoret kurrë për interesa personale. Fotot e publikuara dje vijnë pas një stërvitje normale të akademisë Luftëtari.

Në stërvitjen e djeshme kane marrë pjesë edhe fëmijë të skuadrave të akademisë së ekipit të njohur grek Panathinaikos. Luftëtari, jo vetëm me këtë skuadër, por edhe me emra të tjerë të skuadrave ndër më të njohurat në Europë, ka marrëdhënie shkëmbimi eksperience në ndërtimin e akademive moderne me qëllimin e vetëm kthimin e akademisë Luftëtari në një shkollë të mirëfilltë futbolli duke garantuar stërvitje profesionale dhe kushte bashkëkohore për çdo fëmijë. Akademia jonë në një kohë të shkurtër do të jetë një ndër akademitë më të mëdha në vend falë edhe urave të bashkëpunimit me skuadra të mëdha Europiane”, thuhet në komunikatën e klubit bluzi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *