Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, vuri gishtin te dëmtimet dhe te eksperienca e pakët e futbollistëve të rinj në ndeshjen e humbur sot me rezultatin 5 – 3 ndaj Tiranës.
NDESHJA – “Ta fillosh pjesën e dytë me një penallti dhe pas 5 minutash të marrësh një gol tjetër në një aksion të parrezikshëm, ku dy lojtarë janë të shtrirë në tokë, ishte shumë keq për ne. Skuadra nuk ishte në ditën e saj më të mirë. Në moment që je në disavantazh të dy golave, nuk kishim çfarë të humbnim më. Skuadra nuk e mori veten, gjatë gjithë takimit. Lojtarët i kanë ndeshje të rënduara këtë, pasi lojtarët e rinj nuk kanë stabilitet. Kjo gjë bëri që ta humbnin ndeshjen në këtë mënyrë. Deri te penalltia, vajtëm shumë mirë, por më pas u ndikuam psikologjikisht dhe nuk kam fjalë çfarë të them”.
PENALLTIA – “Nuk merrem me arbitrat dhe nuk do të merrem asnjëherë. Ai ashtu e mendoi dhe e vendosi. Kjo ndikoi shumë për ne, sepse sapo kishim hyrë në fushën e lojës. Na ndëshkoi dhe aty mbaroi çdo gjë. Nëse nuk ka qenë penallti, do të na vijë shumë keq”.
REZULTATI – “Po të shikosh lojën, loja ishte shumë e mirë deri në minutën e 53’. Më pas, aktivizuam 5 sulmues dhe ekuilibrat u prishën. Por ky rezultat nuk do të ndikojë në kampionat, pasi objektivi ynë kryesor është qëndrimi në Superiore”.
TIRANA FAVORITE – “Ne jemi ndeshur tre herë përpara me Tiranën. Vinim te kjo ndeshje me vetëm barazime. Ekuilibrat u prishën në pak minuta dhe në disa episode në këtë ndeshje. Penalltia dhe goli i tretë i Ngo, pas këtyre episodeve i prishëm ekuilibrat. Ne arritëm te golat, por nuk vlen gjë, pasi ekuilibrat u prishën”.
DËMTIMET – “Nuk e kam të qartë se ku i kam dëmtimet e lojtarëve, pasi kanë dëmtime te ligamentet e gjurit. Ramadani ka një dëmtim të hershëm dhe e ka humbur formën fizike. Të humbësh kaq shumë lojtarë në një skuadër është shumë e vështirë të kesh ekuilibër. Por po e them prapë që ne kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, aktivizuam tre sulmues për të arritur te golat, por pësuam shumë edhe për meritë të Tiranës, ata kanë shumë kualitet dhe cilësi”.