Ansi Agolli edhe pse nuk ishte në fushë ndeshjen me Izraelin dhe prezenca e tij është sërish në pikëpyetje për ndeshjen me Skocinë, ishte përkrah trajnerit Kristian Panuçi, për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Mbrojtësi kuqezi komentoi dhe afrimin e Binakut, i cili ishte në vendin e tij në takimin me Izraelin.
Ansi, sa keq ju vjen që nuk ishit në fushë këtë ndeshje?
Nuk më vjen keq. Jam mësuar. Çdo kapiten e ka për detyrë që të paraqitet dhe të përgjigjet. Trajneri e tha mjaft saktë dhe nuk kam çfarë mund të them më tepër. Çdo lojtari që vjen në Kombëtare vjen për të luajtur. Zgjedhjet i bën trajneri. Më vjen apo jo mua keq nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që nesër të marrim një rezultat pozitiv dhe të ecim përpara.
Keni luajtur më parë në Skoci, i keni treguar shokëve për atmosferën këtu?
Shokët e ekipit e kanë parasysh atmosferën që do jetë këtu nesër. Do jetë atmosferë mjaft e mirë për çdo lojtar. Këtë duhet ta shfrytëzojmë pozitivisht, për të dhënë akoma më shumë në lojë, duke futur pa emocione dhe për të dhënë maksimumin.
Çfarë parandjenje ka Agolli, do të jetë në fushë nesër?
Unë kam dhënë më të mirën ën stërvitje., Jam në një formë të mirë dhe më pas nuk e di. Trajneri e tha që nuk e ka zgjedhur akoma formacionin. Uroj të jem!
Komenti juaj për Binakun?
Binaku është paraqitur shumë mirë në ndeshjen e fundit, më bëri përshtypje përshtatja e këtij të riu, pasi ishte hera e parë që grumbullohej. Ishte diçka pozitive. Mund të them fjalë të mira për Gavazajn që luante ndeshjen e parë. E kaluan mjaft mirë këtë provë duke marrë dhe një fitore. Fjalë mjaft pozitive.