Shorti i turit të tretë kualifikues në Champions League i rezervon Garabahun e Ansi Agollit Kukësit, gjithmonë nëse kampionët e Shqipërisë kalojnë Sherifin e Tiraspolit. Humbja në Moldavi dhe niveli i kundërshtarit bëjnë që Kukësi mos ta ketë fare mendjen te Agolli, por ky i fundit pret me qetësi, sepse praktikisht e ka kaluar turin, pas fitores 5-0 ndaj Samtredias së Gjeorgjisë në vajtje.
Duke folur për Supersportin, mbrojtësi i kombëtares sonë komenton përballjen e mundshme me verilindorët: “E ndoqa shortin dhe me thënë të drejtën u ndieva i emocionuar, për faktin se ekziston mundësia që të përballemi me një skuadër shqiptare. Unë besoj se Kukësi ka bërë progres të dukshëm, dhe jo më kot u shpall kampion sezonin që u mbyll, nuk do të habitesha nëse do ta kalonte Sherifin e Tiraspolit.”
Për sa i përket çështjes së trajnerit të ri të kombëtares, Agolli shton: “Pritet të zgjidhet shpejt sipas informacioneve dhe unë shpresoj që trajneri t’i adaptohet skuadrës dhe të përshtatet, pasi kemi ende për të dhënë duke qenë se mbeten edhe 4 ndeshje për tu luajtur nga këto eleminatore, pavarësisht se objektivi është Europiani 2020”.