Ademi “bekon” Vllazninë, Cungu: Nuk e diskutojmë mbijetesën

Kryebashkiakja Ademi “bekon” skuadrën. Gjyrezi dhe Cungu në konferencë për shtyp, përpos atmosferës së kampionatit sqarojnë çështjen “Dani” dhe vendosin objektivat e skuadrës

Gaspër Marku

Vllaznia është gati për startin e Kampionatit të 79-të Kombëtar të Futbollit, start të cilin kuqeblutë do ta kenë të dielën, duke pasur përballë ekipin lushnjar, ndeshje kjo përballë Lushnjes në trasnfertë, por që do të luhet në stadiumin e qytetit të Fierit. Ashtu siç kish premtuar më parë, kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi vazhdon t’i qëndrojë pranë skuadrës kuqeblu. E shoqëruar nga stafi i saj, dje, ajo është shfaqur në fushën e “Reshit Rusit” ku Vllaznia zhvillonte seancën e fundit stërvitore anti-Lushnja. Takimi i saj me skuadrën ka pasur të bëjë me urimin dhe mbështetjen e saj ndaj futbollistëve dhe stafit teknik për kampionatin e ri të futbollit. Ka qenë në një farë mënyre, një tip “bekimi” që numri një i qytetit dhe njëkohësisht edhe presidente e Vllaznisë i ka bërë futbollistëve kuqeblu për një përfaqësim sa më dinjitoz në sezonin e ri futbollistik. Duke folur përpara skuadrës, zonja Ademi ka kërkuar seriozitet maksimal nga ana e të gjithëve për të nderuar ashtu si duhet emrin e këtij klubi me traditë që përfaqësojnë. Duke rivënë në dukje disa probleme që ka përjetuar skuadra sezonin e kaluar, Ademi ka kërkuar që kurrsesi ato nuk duhet të shfaqen në këtë sezon. Ndër të tjera, ajo ka vlerësuar faktin që në këtë sezon Vllaznia ka më tepër se asnjëherë tjetër futbollistë shkodranë, prej të cilëve ka kërkuar përkushtim maksimal për të nderuar veten, familjet e tyre dhe mbarë qytetin. Në mbyllje, kryebashkiakja Ademi ka premtuar se së bashku me stafin e saj do të jetë e pranishme të dielën në stadiumin e qytetit të Fierit për të mbështetur skuadrën drejt një fitorejeve të mirëpritur në mënyrë për ta nisur sa më mbarë sezonin e ri futbollistik.

Gjyrezi dhe Cungu – Në përfundim të stërvitjes, në mjediset e bashkisë së Shkodrës, klubi i futbollit ka organizuar një konferencë për shtyp në të cilën janë paraqitur, administratori, Astrit Gjyrezi dhe trajneri Armando Cungu. Fillimisht ka qenë administratori Gjyrezi që në hapje të fjalës së tij ka premtuar se gjatë këtij kampionati klubi do të jetë më i hapur me mediat. “Është një skuadër ku jemi munduar që të bëjmë një merkato të kujdesshme. Lojtarët shkodranë që janë afruar pranë ekipit shpresoj që të bëjmë më të mirën dhe shpresoj se koha do ta tregoj një gjë të tillë. Pjesa tjetër e lojtarëve të ardhur shpresoj që të motivohen maksimalisht për të dhënë më të mirën e tyre në fushën e lojës. Përsa i përket anës financiare mund të them se kryetarja e Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak që janë pronarët e Vllaznisë na janë gjendur pranë dhe besoj se një mbështetje e tillë nuk do të na mungojë edhe në vazhdim. Kërkojmë që ta fillojmë mbarë në takimin me Lushnjën dhe pastaj edhe një mbarësi mbrapa në takimet e ardhshme”, theksoi në fjalën e tij administratori Gjyrezi.

Trajneri Armando Cungu ka bërë të ditur se në këtë sezon futbollistik, do të jetë një Vllazni më e mirë se sezonin e kaluar, duke qenë i mendimit se për momentin, “mesi i artë” i tabelës shikohet si më i arsyeshmi për shkodranët. “Përsa i përket objektivit të këtij sezoni duhet të jemi të kujdesshëm në ato çfarë themi. Në disa reparte ne jemi zbukuruar në këtë sezon si ekip, kurse ka edhe reparte ku nuk arritëm që të plotësonim ekipin me lojtarë cilësorë, ku edhe do të bënim diferencën. Vllaznia nuk është për mbijetesë, por për të parë sa më lart. Unë nuk mund ta saktësoj fiks objektivin, por minimalisht Vllaznia do të jetë një ekip i mesit të tabelës. Ky sezon do të jetë më i vështirë se një vit më parë. Unë pres një Vllazni më të bukur, më kërkuese në këtë sezon”, ka theksuar tekniku Cungu.

Çështja “Dani” – Gjatë konferencës për shtyp është komentuar edhe problematika e shfaqur gjatë kësaj jave, ku pas një debati mes trajnerit të portierëve Avenir Dani dhe drejtorit sportiv Eugent Zeka lidhur me afrimin në skuadër të një portieri 16 vjeçar, gjë që ka çuar edhe në dorëheqjen e trajnerit të portierëve. “Mendoj se për largimin e Danit nuk është mirë që të vazhdojmë më një çështje të tillë. Ky është një vendim i dy palëve. Për çështjen e teknikut Dani, klubi dhe trajneri kanë marrë një vendim. Është një dorëheqje e Danit, një mbyllje bashkëpunimi. Për trajnerin e ri të portierëve është marrë një vendim i momentit, me kalimin e trajnerit të portierëve të Akademisë Vllaznia, Idel Lekiqi pranë ekipit të parë. Ai ka punuar me sektorin e portierëve ditën e shtunë dhe do të jetë edhe të dielën me skuadrën në Fier”, është shprehur Gjyrezi, i cili ka bërë të ditur gjithashtu se javën e ardhshme në bashkëpunim edhe me trajnerin Cungu, klubi do të vendosë përfundimisht për emrin zyrtar të trajnerit të portierëve në ekipin e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online