Ignacio Abate mbajti shiritin e kapitenit në humbjen e djeshme të Milanit në Athinë ndaj Olimpiakosit. Mbrojtësi 32-vjeçar foli para mikrofonit të “Sky Sports” pak minuta pas përfundimit të ndeshjes dhe nuk iu shmang përgjegjësive duke thënë se skuadra e tij nuk ka asnjë justifikim për këtë dështim.
“E filluam mirë ndeshjen dhe skuadra ishte e vendosur mirë në fushë. E gjithë pendesa qëndron te goli i parë s’duhet ta kishim pësuar. Sapo filluam të merrnim veten, atyre iu dha një penallti. Shumë gjëra nuk ecën siç ne dëshironim”.
“Mund të kishim bërë shumë më mirë se kaq. Në ndeshjen e fundit duhet të kishim shkuar me kualifikimin e siguruar, sepse skuadra e kishte kualitetin për ta arritur këtë. Na duhet të bëjmë hapa para. Nuk kemi asnjë justifikim. Na duhet të punojmë për mentalitetin e skuadrës. Tani duhet të përqendrohemi te kampionati. Renditja në katërshen e parë do të na sigurojë kualifikimin në Champions”, përfundoi Abate.