Një ditë e veçantë është kjo e sotmja për Vllazninë pasi feston datëlindjen e 103-të. Shkodranët janë themeluar në 16 shkurt të vitit 1919, duke i dhënë futbollit shqiptar prej vitesh emra të spikatur që do të përfaqësonin shtetin tonë nëpërmjet Kombëtares. 103 vite histori, me 9 tituj kampion, 7 Kupa dhe 2 Superkupa.
Urime të shumta kanë ardhur për Vllazninë, por më i veçanti është ai që ka mbërritur së fundmi. Bëhet fjalë për ekipin që garon në nivelet e ulëta në Angli, Sheffield Football Club. Por simbolika është e madhe pasi bëhet fjalë për skuadrën më të vjetër në botë që ende luan futboll në bazë të njohjes nga FIFA. “Në këtë ditë, në 1919 u krijua edhe Vllaznia, ekipi shqiptar më i vjetër. Gëzuar datëlindjen”, shkruhet në shqip urimi nga Sheffield Football Club. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/
#OnThisDay in 1919, Albania’s oldest football club, @fkvllaznia, was founded.
Gëzuar ditëlindjen! ?#ClubOfPioneers pic.twitter.com/SKaEHTX9zq
— Sheffield Football Club (@sheffieldfc) February 16, 2022