Milot Rashica nuk jep shenja largimi nga Verder Bremen. Futbollisti shqiptar ka dhënë një intervistë për të përditshmen gjermane “BILD”, ku ka diskutuar mbi të ardhmen e tij dhe gjendjen e skuadrës së Verderit në prag të sezonit të ri.
FAMA NË KOSOVË – “Në Kosovë çdokush është i çmendur pas futbollit. Mendoj se jam një ndër futbollistët më të njohur dhe kjo më bën paksa krenar. Përpiqem që ta përdor këtë famë që kam fituar për të bërë gjëra të mira si pjesëmarrja në bamirësi të ndryshme”.
E ARDHMJA – “Sigurisht, që ka pasur gjithmonë interes nga klube të ndryshme, por kjo nuk është diçka që më shqetëson. Rinovimi me Verderin mbetet një opsion për mua. Nëse biem dakord me kushtet e kontratës, pse jo. Megjithatë, për momentin unë dhe agjenti im nuk po mendojmë për këtë gjë”.
SEZONI I RI – “Na janë larguar shumë pak lojtarë dhe i gjithë grupi njihet mirë. Mendoj se këtë vit mund t’ia dalim të kualifikohemi në Europa League. Me ikjen e Maks Kruzes ka më shumë përgjegjësi për sulmin, por nuk ndihem në presion. Jam ndër atë njerëz që besojnë shumë te vetja”.