Feronikeli u eliminua në mënyrë dramatike nga raundi eliminator i Champions League. Skuadra nga Drenasi u mund me rezultatin 1 – 0 në stadiumin “Fadil Vokrri” nga skuadra uellsiane The New Saints. Në intervistën e dhënë për “RTK” në fund të ndeshjes, trajneri i Feronikelit, Zekerija Ramadani, shprehu keqardhje për eliminimin, por motivoi skuadrën duke vlerësuar lojën e bërë
“Më vjen keq për futbollistët që dhanë maksimumin, por nuk arritën të kualifikohemi. Nuk jemi ekipi i parë që dënohemi në të tillë mënyre. Shpërdoruam shumë raste. E dinim që kundër kishim një kundërshtar shumë cinik. Faktikisht mendoj se kundërshtari luajti më dobët se ndeshjen e fundit. Më vjen keq nuk arritëm të gëzonim tifozët të cilët kishin ardhur të shumtë.
“Mendoj që skuadra dha maksimumin, ndoshta kaq është maksimumi i këtij ekipi. Paraqitje ishte e mirë. Skuadra luajti në një mënyrë guximtare. Nuk turpëruam futbollin kosovar, nuk turpëruam Feronikelin. Nga të tilla humbje vetëm mund të mësosh”.
“Ishte dhe rasti i penalltisë, unë nga fusha nuk e dallova, por tani nga pamjet filmike dallohet që arbitri ka gabuar. Gjithsesi asgjë nuk ka mbaruar. Duhet ta lëmë pas atmosferën që sjell humbja. Përse të mos të bëjmë diçka në Europa League”.