Milani po kërkon prej kohësh Xhordan Veretu, por Fiorentina po reziston. 18 milionë euro ofrojnë kuqezinjtë për mesfushorin francez, por akordi është ende larg. Të ndodhur në një situatë të tillë, drejtuesit e “djallit” kanë zgjedhur një tjetër objektiv.
Ai është Rodrigo De Paul i Udinezes. Argjentinasi aktivizohet në rolin e mesfushorit ofensiv dhe sulmuesit të majtë. 25-vjeçari priste një ofertë nga ndonjë klub që garon në Champions, por në zyrat e Udinezes nuk ka ardhur asnjë ofertë zyrtare.
De Paul vlerësohet 30 milionë euro, para që mund të vijnë nga shitja e Susos te Roma. Sportmediaset raporton se Milani është gati të nisë negociatat me lojtarin dhe klubin friulan.
Nuk përjashtohet përfshirja e ndonjë lojtari në këtë operacion, çka do të bënte të mundur që Milani të paguante më pak se 30 milionë euro. De Paul është një nga pikat më të forta të bardhezinjve, ndërsa numëron edhe tete ndeshje të zhvilluara me kombëtaren e Argjentinës.