Pas uljes në pankinë të Artan Mergjyshit, te Apolonia ka patur lëvizje. Vendosja e të gjithë ndihmësave të Mergjyshit ishte hapi i parë, ndërkohë që për merkato ka vetëm një listë dëshirash dhe asgjë konkrete. Madje duhet thënë se deri më tani tek Apolonia të konfirmuar janë vetëm tre të larguarit Prifti, Buzi e Braka.
Gjatë një deklarate ditë më parë, trajneri Mergjyshi deklaroi se Apolonia ka arritur akordin dhe është gati të firmosë me mbrojtësit Jurgen Vogli e Marlind Nuriu, si dhe me mesfushorët Gelando Sharavolli e Alked Çelhaka. Në plane është edhe Jurgen Vrapi. Zyrtarizimet e këtyre lojtarëve thuhet se janë vetëm formalitet, por ende nuk ka asnjë firmë.
Pas datës 18 korrik pritet që në Fier të “mësyjnë” 4 futbollistë nga Ekuadori, 3 brazilianë, 2 serbë dhe 1 nigerian, që nënkupton se Apolonia do jetë shumëkombëshe për sezonin e ri. Por edhe këta janë pjesë e listës së dëshirave, pasi ende nuk ka asgjë konkrete. Deri më 20 korrik, kur nisin përgatitjet, priten zhvillime.
AGRON KAJA