Gentian Stojku provoi një eksperiencë të shkurtër në Superiore, teksa drejtoi Kamzën që u përjashtua nga kampionati për shkak të dhunës që u ushtrua ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti. I ftuar në emisionin “Ditë të mbarë” në RTSH 2, ish-sulmuesi ka folur për përballjet që klubet shqiptare do të zhvillojnë në kupat e Europës.
“Kanë pasur short shumë të vështirë dhe për mendimin tim dhe do ishte sukses nëse ndonjë ekip do kalonte turin. Ekipet kundërshtare e kanë ruajtur bazën dhe kjo është në të mirë të ekipeve”, shprehet Stojku. Kujtojmë se Partizani përballet me Karabakun, Kukësi me Debrecen, Teuta me Ventspil dhe Laçi me Hapoel Ber Sheva.
Stojku, mes të tjerave, ka vënë gishtin në plagë dhe flet për ndërhyrjet në futbollin tonë. Ai nuk përmend emra, sikurse edhe nuk thotë se diçka e tillë i ka ndodhur në ekipet që ai ka drejtuar në këto vite që punon si trajner.
“Në shumicën e klubeve ka presidentë ose kryetarë bashkie dhe duan ta bëjnë çdo gjë vetë. Është çështje mentaliteti. Nuk duhet ta harrojnë se një ekip ndërtohet me trajnerin. Kështu ndodh në gjithë botën”, është shprehur Stojku.