“Nuk e kuptova si ndodhi, Partizani e ka provuar edhe më parë”

Franko Lerda pasoi Skënder Gegën te Partizani dhe për herë të parë do të drejtojë në Shqipëri. Italianëve nuk është se u ka ecur me të kuqtë, por drejtori Olsi Rama u shpreh se ishte optimist për zgjedhjen e bërë. Gjithsesi ka edhe zëra kundër, sikurse është Farruk Sejdini, i cili ka drejtuar shumë skuadra në Superiore.

“Kjo mania e trajnerëve të huaj mua më duket se ka kaluar në sindromë. Jo se jam kundër trajnerëve të huaj, se tek e fundit bëhet edhe njëfarë zhvillimi i futbollit. Partizani ishte një ekip i ngritur, që po bënte mirë dhe kishte zhvillim”, thotë fillimisht Sejdini në një intervistë për “ABC News”.

“Xhaxhi” vijon me arsyetimin e tij: “Nuk e kuptova se si nga Gega u kalua te një trajner tjetër, siç është italiani Franko Lerda. Eksperiencën Partizani e kishte, pasi nuk është se pati ndonjë sukses me trajnerët e huaj. Për më tepër me italianët. Mendoj që nuk ishte një hap i zgjuar, duke qenë një ekip i ngritur, me themele, kurse tani e nis nga e para”.

Sejdini jep mendimin e tij në lidhje me problemet trajnerët e huaj kanë në vendin tonë: “Problemi numër një është fakti se mungon profesionalizmi. Ne akoma nuk jemi në stadin profesional, siç janë klubet në Europë. E dyta nuk kemi kushtet stërvitore.

Llogarisni ju që Partizani nuk ka fushë, stadium, një ambient. Edhe nga ana psikologjike është shumë e vështirë të barazohesh me një klub të huaj. Trajnerët shqiptarë janë të përgatitur mirë, por nga ana tjetër përshtaten më mirë me situatën. Të huajt e kanë të vështirë dhe këtu nisin kontradiktat, duke mos qenë të gjitha hallkat në union”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *