Mes shumë ofertave e ka bindur ajo e Kukësit. Mbrojtësi i krahut të djathtë, Tome Kitanovksi, pritej të vinte të hënën në kryeqytet. Gjithsesi ai nuk u duk në ditët e para të javës dhe ditën e djeshme mbërriti në zyrat e klubit verilindor.
Atij i është dashur kohë të studiojë kontratën dhe tashmë ka ardhur firma dhe zyrtarizimi. “Tome Kitanovski nënshkruan kontratë për një sezon futbollistik, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër me Klubin tonë.
Mbrojtësi vjen nga ekipi azer i Sebail dhe do i bashkohet menjëherë skuadrës sonë, e cila po zhvillon pjesën e parë të fazës përgatitore në Elbasan”, njofton klubi i Kukësit përmes faqes zyrtare në “Facebook”.
Mbrojtësi 27-vjeçar ka luajtur rregullisht me Slaven Belupo dhe Istra në Kroaci. Kitanovski ka provuar të aktivizohet edhe në Serbi me Mladost Luçani dhe Vozhdovac, me Universitatea Kraiova në Rumani dhe Pelisterin në Maqedoni. Tanimë do të provojë edhe Kategorinë Superiore.