Roma gëzon një sulm mjaft cilësor në krahë dhe nuk ka shumë nevojë për ndërhyrje. Një ardhje “e re” për klubin verdhekuq është Gregoir Defrel. Klubi roman e bleu për 15 milionë euro nga Sasuolo verën e kaluar, por vendosi ta huazojë menjëherë te Sampdoria.
Këtë merkato ai është kthyer në “Olimpico”, por nuk duket se do të qëndrojë për shumë kohë. 11 golat dhe 3 asistet e tij në Serie A nuk mjaftojnë për të bindur Romën ta mbajë në organikën e saj për sezonin e ardhshëm. Kështu, Defrel do duhet të gjejë një tjetër ekip.
Ofertat drejt tij nuk mungojnë. Bolonja po shfaq një interes të theksuar dhe në ditët e ardhshme pritet një ofertë zyrtare. Edhe Kaljari dëshiron shërbimet e Defrel. Brenda këtij muaji pritet të ketë një zgjidhje përfundimtare rreth të ardhmes së tij.