Mançester Siti po punon për përforcimin e ekipit dhe rinovimin e kontratave të lojtarëve. Drejtuesit e “Citizens” kanë vendosur të zgjasin bashkëpunimin me Oleksandër Zinçenkon.
22-vjeçarit ukrainas i përfundonte kontrata në vitin 2021, ndërsa tani ka ardhur rinovimi me tre vite të tjera. Mesfushori, i cili bën mirë edhe mbrojtësin dhe mesfushorin e majtë, ka firmosur deri në vitin 2024 me kampionë e Anglisë.
Gjatë këtij sezoni, Pep Guardiola e aktivizoi në 14 ndeshje futbollistin lindor dhe ky i fundit zhvilloi paraqitje relativisht pozitive.
Mosha e re, potenciali i madh dhe rritja që do të pësojë nën stërvitjet e Pep Guardiolës kanë bindur drejtuesit e Mançester Sitit për të “blinduar” një nga lojtarët më të rinj të kontingjentit.