U përfol për stolin e Apolonisë, Kashami sqaron situatën

Apolonia u nda me Gentian Stojkun në fund të sezonit dhe nuk e ka gjetur akoma trajnerin e ri. Një nga emrat e lakuar për stolin fierak është edhe kavajasi Ndriçim Kashami, i cili e drejtoi Apoloninë edhe dy sezone më parë. Gjatë sezonit të kaluar Kashami thuajse ka qenë pa skuadër, por gjatë kësaj periudhe të merkatos, u përfol kryesisht për pankinën e Apolonisë.

Por për SportEkspres.com, Kashami e mohon te jetë kontaktuar nga drejtuesit e klubit fierak. “Nuk kam asnjë kontakt me drejtuesit e Apolonisë. Edhe unë kam lexuar në media se ata më kishin në planet e tyre, por me sa duket këto janë thashetheme mediatike të merkatos dhe jo reale. Gjithsesi, unë kam patur para disa javësh ofertë nga një skuadër e Kategorisë së Parë, por duke qenë me administrim nga bashkia nuk e pranova”.

Ndriçim Kashami u bë i njohur në pankinat e futbollit shqiptar para tre vitesh, teksa drejtoi Apoloninë dhe në sezonin e kaluar Besëlidhjen për një periudhë të shkurtër. Në sezonin që sapo u mbyll, Kashami më shumë ka qenë i pranishëm në media, kryesisht në rolin e opinionistit e parashikuesit të ndeshjeve, vetëm për ato në Kategorinë e Parë.

AGRON KAJA

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *